Showing posts with label protesta. Show all posts
Showing posts with label protesta. Show all posts

Sunday, November 27, 2016

Pronari i nje shkolle private mbron politikat e qeverise dhe kundershton protesten e studenteve



Kujtim Cashku, nje ish-regjizor i njohur shqiptar, dhe pronar i shkolles private, Akademia Marubi, ka share e kundershtuar studentet qe kane protestuar kunder politikave te qeverise dhe znj. Ministre Lindita Nikolla.

Kompania: Ora Film
Administratori: Kujtim Cashku (100%)
NIPT: J62424003O
Licensimi: VKM Nr.652, datë 30.09.2004
Programe: Bachelor Specialist i Lartë në Film dhe Media, me profile: Regjisurë, Skenar, Kamera, Montazh
Dokument akreditimi: Urdhër Nr.227, datë 26.05.2008
Akreditimi i vlefshëm deri në: 2014-05-26



Z. Cashku eshte i njohur per pretendimet e tij mbi pronat e ish-Kinostudios, ku jane edhe vendosur mjediset e Akademise, te zaptuara prej tij. Konflikti atehere, ne 2009, u sheshua pas nderhyrjeve te studenteve te spektrit te majte qe nderhyne dhe u perballen me dhunen e policise private dhe asaj shteterore.

video

http://www.panorama.com.al/sulmi-me-salce-si-etje-per-gjak-e-neostalinisteve/


KUJTIM ÇASHKU, Panorama, 25.11.2016
E dashur Lindita,
Sulmi me salcë mbi kokën tuaj më shtyu që të bëj një refleksion të shkurtër ndaj fenomenit, duke e parë atë më shumë si një raport mes dukjes dhe thelbit në një realitet të përbashkët ku ne jetojmë dhe si një xhest me një efekt të caktuar mediatiko-politik. Mbrëmë vura re gazetaren Eni Vasili të TV “News 24”, e cila insistonte të dinte se si kishte reaguar familja juaj, pas sulmit me salcë mbi kokën tuaj, domethënë, çfarë kishin thënë nëna, burri, vajza etj., anëtarë të familjes suaj pas kësaj ngjarjeje.
Papritur ndjeva se pyetjeve të Enit, në heshtje po u përgjigjesha dhe unë vetë, duke thënë se, nëse do të isha një djalë apo vajzë e juaja, do t’ju adhuroja akoma më shumë për urtësinë dhe qetësinë që tregon ndaj çdo lloj histerie. Po kështu, nëse do isha një motër apo vëlla i juaji, do ndihesha i lumtur që i përkasim të njëjtës familje nga ku buron një edukatë e lartë qytetarie e mirësie. Nëse do të isha burri juaj, do t’ju dashuroja edhe më shumë, sepse tek e fundit dashuria na dhuron paqe, dhe kur ajo na mungon, buron dhuna.
Nëse do isha një shoqe apo shok i juaji, do ndjehesha mire intelektualisht, sepse do kishim se përse të bisedonim për fenomenet dhe efektet traumatike e postraumatike në shoqëritë totalitare, për anonimatin, personin, personalitetin, privatin dhe privaten, publikun dhe publiken e plot nën shtresëzime të tjera që lidhen fëmijërinë, faljen, pendesën apo dhe gjurmën e memories traumatike. Nëse do isha një nxënës apo student i juaji, do thosha me zë të plotë se dhe unë jam ose kam qenë dikur një student apo studente e Lindita Nikollës.
Dhe së fundmi, si një zë që më erdhi nga akoma më thellë e më tha:- se nëse do isha ende gjallë nëna ime si mësuesja e parë e Lindita Nikollës ajo e abetares së parë të saj, do t’i thosha tim biri, Kujtim Çashkut, që t’iu thoshte se dhuna mbin në zemrën e frikacakëve, fanatikëve dhe mediokërve. Se fjalërimet mashtruese dhe histeritë kolektive e individuale janë viruse e patologji, që mund të pushtojnë e molepsin këdo, kudo dhe kurdoherë, madje dhe njerëz e popuj të quajtur dikur të qytetëruar.
* * *
Në fakt, të gjithë e dimë se ende sot nuk është gjendur një ilaç çudibërës, që ta shërojë këtë virus të së keqes, siç është dhuna në mbarë botën. Përpjekja e vetme dhe e vazhdueshme e njerëzimit për t’u mbrojtur prej saj ka qenë dhe mbetet lufta e çdo dite për më shumë arsim, dije e kulturë. Një konflikt i hapur tek ne ka qenë dhe mbetet çështja e identifikimit tonë kulturor si otomanë, si oksidentalë apo si aksidentalë?!
Personalisht, sulmin ndaj reformës në arsim, përjashtuar ata të cilët kontribuuan me vërejtje të qenësishme gjatë hartimit të ligjit, unë e kam parë më shumë si një krizë identitare të disa grupimeve, argumentet e të cilëve lidheshin më shumë me fenomenin e statusquosë despotike të shtetit etatist që vë në kontroll gjithçka. Madje terminologjia që përdorej zëvendësonte fjalën popull me të skamurit dhe të shtetit me publiken duke i shpallur luftë të hapur nëpërmjet një doktrine neostaliniste privates, pronës dhe së drejtës, konkurrencës dhe tregut të lirë, institucioneve të pavarura dhe integrimeve europiane.
Pra, tek unë sulmi ndaj reformës apo reformave shihej dhe vazhdon të shihet si një fenomen antiperëndimor në vendin tonë. Lufta ndaj vlerave, gjoja në emër të barazisë parazitiste, mbrojtja e të skamurve me ngastra feudale të çdo mbreti të katundit, i cili e konsideronte veten qendër e botës, mendoj se përbën një rrezik aktual për Shqipërinë. Duke e parë këtë fenomen antireformë si një refleksion të një sulmi antiperëndimor në arsim, drejtësi apo kudo tjetër salca si skup mediatik mbi kokën e Znj. Lindita Nikolla është dukja e një thelbi më të thellë antiperëndimor madje dhe më kompleks në kuptimin psiko-social.
* * *
Si pedagog i Akademisë së Filmit Marubi, kohë më parë një student i yni kishte realizuar një film me një skenë krimi, ku koka e viktimës ish mbuluar me gjak. Në mënyrë asociative ajo kokë e viktimës së mbuluar me gjak më solli imazhin e kokës së Znj. Lindita Nikolla të mbuluar me salcë. E pyeta studentin se pse e kish mbuluar tërë portretin e viktimës me kaq shumë gjak dhe se si ai e kish realizuar teknikisht atë? Studenti m’u përgjigj:
– “E mbulova me salcë, profesor.” – Pastaj, ai nisi të më shpjegonte psikologjinë e personazhit agresor duke më thënë se agresori i tij nuk ngopej nga urrejtja që kishte kundër viktimës. Ai donte ta shihte kokën e viktimës ose të prerë, ose të mbuluar me gjak. Madje këtë kokë të ndëshkuar në emër të hakmarrjes ai dëshironte që ta shihnin sa më shumë njerëz si në kohët e Mesjetës, që i vinin koka të prera në kamaret e turpit apo në komunizëm, që i varnin njerëzit në mes të shesheve apo i shëtisnin viktimat qytet më qytet për të tmerruar të tjerët si forma “mediatike” të atyre kohëve.
Natyrisht kjo logjikë e studentit për të dhënë profilin psikologjik të agresorit ndaj viktimës, ndodhte në sferën e fiksionit dhe imagjinares, ku viktima dhe vrasësi ishin dy aktorë në një film, të cilët me artin e tyre krijojnë një efekt katharktik për publikun, duke shmangur teatrin tragjik të jetës kur vrasësi dhe viktima nuk janë më aktorë, por njerëz realë që e luajnë teatrin tragjik me jetën e tyre të përditshme. Thënë këtë, kuptojmë se shoqëritë joreflektive dhe pa imagjinatë kanë mungesë të theksuar të spektrit koloristik të jetës.
Atyre u mungon hapësira e shijes, u mungon morali, kodi etik dhe estetik që shërbejnë si oksigjeni i vetë jetës. Individët në këto shoqëri kanë vetitë që të dashurohen e të ndahen shpejt, të servilosen e të bëhen prepotentë shpejt, të trimërohen e të frikësohen shpejt, të poshtërohen e të heroizohen shpejt. Ata më lehtë kanë gjuhën e plumbit sesa të mendjes dhe penës. Ata janë idhnakë të prapë e mjeranë, të pabesë dhe pse nga mëngjesi deri në darkë s’bëjnë gjë tjetër veç flasin për burrëri e besë. Të qetë ata janë veç në gjumë, kur bien e flenë të lodhur nga urrejtja. Gjumin kanë si qetësim të vdekjes së përditshme.
* * *
Por le ta shohim nga një pikëpamje tjetër sulmin antiperëndimor të një portreti thuajse ikonografik të zonjës Nikolla që sulmohet dhe mbulohet me salcë. Pra, të shohim kokën e femrës bionde me sy të kaltër e të thellë, lëkurën e saj të bardhë e të lëmuar, sulmi ndaj kësaj koke femre, të zbuluar e pa burkë mbi krye, salca mbi të na merr një tjetër kuptim. Por le të shkojmë dhe më tej, bëhet fjalë për një ministre që nuk u vesh kurrë me “pantallona pushteti” për t’u dukur burrë i fortë pushtetar, por ajo mbeti femër, me sharm e delikatesë femërore, duke përdorur zërin e butë dhe argumentin si forcë të së vërtetës dhe jo dhunën siç ndodh rëndom nga pushtetarë që pushtojnë shtetin.
Lehtësisht e shkëputshme nga podiumi i ministrave për t’u ulur në tavolinën e z. Berisha, pra në tavolinën e kundërshtarit të saj, për të folur me gjuhën e argumentit. Natyrisht agresiviteti dhe urrejtja ndaj një fenomeni të ri atipik të shfaqjes së pushtetit si e drejtë e delegueshme dhe jo zaptuese në shoqëri totalitare përbën dobësi dhe mund të ndëshkohet lehtë qoftë dhe nga vegjëlia.
Ndodh shpesh që njerëz anonimë për t’u bërë të famshëm a për t’u faktorizuar, ndërmarrin akte dhune ndaj figurave me reputacion shoqëror, lokal apo botëror. Natyrisht emra të tillë siç dalin nga anonimiteti, ashtu dhe shuhen brenda po të njëjtës ditë efemeriste. Por dëmi që ato shkaktojnë nuk shuhet lehtë, qoftë ndaj njerëzve të pafajshëm, por ndonjëherë qoftë dhe ndaj atyre vetë në raport me memorien traumatike që ato i shkaktojnë vetes në vite.
Modeli atipik i Znj. Nikolla si pushtet është një kundërvënie e modelit të të fortit, të dhunës e urrejtjes, të plumbave dhe kafshimeve të Shqipërisë nga kriminelë e gangsterë politikë antiperëndimorë që realizojnë qëllimet me mjete dhune siç ndodh me terroristë e radikalistë, me populistë e nacionalistë të kohës që po jetojmë. Sulmet e tyre për të luftuar kundërshtarin janë befasia dhe jo dueli i hapur, përjashtueshmëria dhe jo përfshirja, dinakëria dhe jo arsyeja, goditja tek e pafajshmja dhe e çmuara, përdorimi i injorancës dhe varfërisë, për të mbajtur gjallë urrejtjen dhe luftën e për të cenuar dashurinë dhe paqen kudo që ajo ekziston.
* * *
Së fundi, kisha një lutje dhe për ju, Znj. Nikolla, që të shpallnit të falur studenten e salcës, duke e lënë atë në rrugën e gjatë të reflektimit dhe arsyes, për të kuptuar thellë se jo dhuna, por protesta ndaj çdo padrejtësie është drejtësi dhe jo urrejtja, por dashuria është fryt i lirisë.

Saturday, November 19, 2016

Studetet aktiviste protestojne ndaj Ministres se Arsimit Lindita Nikolla

Dt. 16.11.2016

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Nikolla eshte akuzuar nga studentet si pergjegjesja kryesore e situates ne arsimin e larte. Studentet kane shprehur pakenaqesi dhe kane protestuar mbi reformen e arsimit te larte, rritjen e tarifave, situaten e krijuar me paligjshmerine e sistemit te pranimeve ne universitet etj.

Per kete nje studente aktiviste, Mirela Ruka, ka hedhur nje shishe me salce ndaj Ministres Nikolla ne nje organizim te Partise Socialiste.


Studentja eshte arrestuar dhe mbajtur ne komisiaratin e policise per 10 ore. Studente te tjere aktiviste kane kerkuar lirimin e saj menjehere pran komisiaratit.

Video: Zoom In.
https://www.youtube.com/watch?v=-tJZkOVVQXA

Thursday, November 17, 2016

Aktivistja e “Për Universitetin” hedh bojë ndaj ministres Nikolla

Ivana Dervishi, 17 nentor 2016, BIRN

Një aktiviste e Lëvizjes “Për Universitetin” u shoqërua nga policia pasi hodhi bojë të enjten pasdite ndaj ministres Nikolla në shenjë revolte të studentëve për dështimin e reformës së arsimit të lartë.

http://www.reporter.al/aktivistja-e-per-universitetin-hedh-boje-ndaj-ministres-nikolla/

Një aktiviste e Lëvizjes “Për Universitetin” u shoqërua të enjten rreth orës 5 pasdite nga policia pasi hodhi bojë të kuqe ndaj ministres së arsimit Lindita Nikolla gjatë një takimi të saj me të rinjtë e Samitit Studentor FRESSH që po mbahej te Piramida në Tiranë.
“Sot, në ditën ndërkombëtare të studentëve, aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin kryen një aksion simbolik kundër ministres së Arsimit Lindita Nikolla. E spërkatën me salcë duke i bërë për një moment atë çka ajo dhe qeveria shqiptare i kanë bërë jetës universitare publike prej kohësh: shprishjen” deklaroi Lëvizja në Facebook.
“…Prandaj ne kemi kërkuar dhe kërkojmë dorëheqjen e ministres Nikolla”, shkruhej në deklaratë.
Në videon e postuar në profilin në Facebook të Lëvizjes Për Universitetin, shfaqet aktivistja e cila i afrohet ministres së arsimit dhe derdh salcë mbi të.
“Veprimi i aktivistes sonë ishte një akt ndaj përgjegjësisë së shmangur të ministres Nikolla ndaj reformës së dështuar në arsimin e lartë, sistemit kaotik të maturës shtetërore dhe favorizimit të dukshëm të universiteteve private”, thanë për BIRN pjesëtarë nga Lëvizja “Për Universitetin”.
Aktivistët u kanë bërë thirrje studentëve të mblidhen përpara komisariatit nr. 1 në Tiranë ku është shoqëruar aktivistja që hodhi bojën ndaj ministres për të kërkuar lirimin e saj.
Lëvizja “Për Universitetin” është një grupim i aktivistëve studentorë të cilët kërkojnë reformimin e universiteteve në Shqipëri për të ofruar arsim të lartë falas dhe pavarësi të universiteteve nga ndikimi shtetëror.
Që prej qershorit 2014, aktivistët kanë protestuar vazhdimisht kundër vendimeve të Ministrisë së Arsimit.
Kaosi i pranimit të universitete shtetërore që erdhi pas ndryshimit të skemës së regjistrimit në fakultete në minutën e fundit, ka shkaktuar gjithashtu pakënaqësi të madhe te maturantët dhe studentët në vend, ndërsa Lëvizja e quajti skemën të dështuar dhe kërkoi dorëheqjen e ministres Nikolla.
http://www.reporter.al/aktivistja-e-per-universitetin-hedh-boje-ndaj-ministres-nikolla/

Sunday, October 30, 2016

Pedagoge te angazhuar shprehin pakenaqesine ndaj Ministres Nikolla

Përgjigje një kryeministri në lajthitje

26 Tetor, 2016, Organizata Politike 
 
Arlind Qori
Kryeministri gëzon një privilegj si rrallëkush. Duhet ta marrësh seriozisht edhe kur nuk është serioz, edhe kur gënjen, keqinterpreton e, në tërësi, flet roma për toma. Kjo vlen edhe në një vend si yni, ku interesat, deal-et apo kokëshprekjet e kryepushtetarit janë ligj e kryeligj.
Kryeministri u takua pardje me pedagogë të universiteteve publike. Askush brenda universiteteve publike, përveç të ftuarve nominalë, nuk mori vesh gjë për takimin para se të ndodhte, as kuptoi se mbi ç’kriter ishin shpërndarë ftesat. Sidoqoftë nga botimi i fotove të takimit në faqen në fejsbuk të Edi Ramës vihet re që midis pjesëmarrësve në takim dominon garda e vjetër e burokratëve dhe ish-burokratëve të universiteteve publike (të cilët shpesh herë janë të njëjtët njerëz, si rezultat i ndërrimit të karrigeve). Domethënë e bajraktarëve të cilët janë përgjegjësit kryesorë brendauniversitarë për atë që edhe kryeministri e pranon se është gjendja e keqe e universiteteve shqiptare. Nuk mungonin në sallë edhe nëpunës të lartë të Ministrisë së Arsimit, të takëmit të P. Ndrecës të cilin, bashkë me dy të tjerë, Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka paditur për dëm ekonomik ndaj shtetit, me vleftën e rreth 700.000 eurove, nëpërmjet favorizimit të universiteteve private me hapjen ekskluzive të programeve doktorale.
Ç’u tha në këtë takim? Mediat raportuan gjerë e gjatë fjalimin e kryeministrit dhe ministres, si edhe ndonjë batutë tek-tuk burokrati. Fatmirësisht, faqja web e kryeministrisë, e cila nuk vonon të shpalosë krenarisht çdo dalje të zotërisë së madh, e ka botuar tanimë fjalën e plotë të kryeministrit. Plot 9 faqe Word-i. E përkthyer në kohë fjalimi rivalizon fort me ato të fjalimmbajtësve autoritarë legjendarë. Nejse, ky është tjetër muhabet.
Nga sa u kuptua, takimi u dominua nga kryeministri dhe ministrja. Bajraktarët me spaleta akademike si të gjeneralëve sovjetikë ose nuk folën fare, ose belbëzuan. Kjo tregohet edhe në faktin se kryeministri i dha lirinë vetes t’u mbante leksion profesorëve tanë, të cilët harruan se detyra e tyre është t’u japin mend politikanëve, sidomos në auditorët universitarë, jo të ulin kokën e të hapin veshët si nxënës që kërkojnë të kalojnë me mik. Si intelektualë, për më tepër, u takonte të parashtronin qëndrimet kolektive të universitarëve, të cilët e kanë kundërshtuar me themeli reformën qeveritare në arsimin e lartë, dhe jo ta lejonin kryeministrin t’i trajtonte ata dhe universitetet si rripa transmisioni të politikave qeveritare, siç ndodhi kur ai iu drejtua si të ishin policë ose nëpunës patentash: “…ju jeni garantët e një reforme historikë në arsim, siç janë garantët e reformave tona të gjithë ata që punojnë për këtë shtet…” Po edhe ky është tjetër muhabet.
Fjalimi i Ramës, fidelkastrist në formë, mund të ndahet në dy shtylla. Në të parën ai përmend simptoma e disa të vërteta të hidhura të sistemit arsimor shqiptar. Mirëpo këto të vërteta janë jo vetëm të pjesshme – duke kursyer privatët –, por edhe të shkontekstualizuara. Shtylla e dytë, më e rëndësishmja dhe ajo që është plot e përplot me lëndë të parë, bazohet në gënjeshtra dhe keqinterpretime, aq fort të lidhura me njëra-tjetrën saqë vështirë se mund të ndash se ku mbaron njëra e ku fillon tjetra.

Të vërtetat e shkontekstualizuara
Kryeministri përmendi gjendjen katastrofale të administratës publike shqiptare, çka vihet në dukje, sipas tij, edhe në faktin se një numër nëpunësish nuk arrijnë të hartojnë as edhe një shkresë të thjeshtë pa e llangosur letrën me gabime drejtshkrimore, simptomë kjo e një sistemi arsimor kryekreje të atrofizuar. Ama kryeministri nuk thotë se nëpunësi dallkauk nuk është vetëm produkt i sistemit të mësipërm. Zakonisht ai nuk është studenti mesatar i universiteteve publike, por pesanjosi që ka depërtuar në administratën publike duke pasur për meritë të vetme shërbimin deri në kufijtë e paligjshmërisë për partinë në pushtet, atë të kryeministrit në këtë rast. Madje, në jo pak raste, edhe kur diploma i skuqet me dhjeta, këto të fundit nuk janë produkt i mundit të tij, por i integrimit në tarafet pedagogjike, aq fort të lidhura dhe shërbëtore të partive politike. Pra një birbo freshist, lrist apo frpdist e ka më të lehtë të dalë ekselent e të zërë punë drejtori, pa ditur as t’i japë drejtim dorës që të shkruajë pa gabime, lere më të drejtojë një dikaster. Kjo implikon edhe faktin se, ndryshe nga ç’pretendon poshtë e lart kryeministri, e mira e sistemit arsimor shqiptar nuk do të vijë edhe aq nga mënyra se si të privilegjohen ekselentët, por se si ekselenca në nota të jetë e merituar dhe jo fiktive. Përndryshe do të kemi ekselentë si ai që i ka shkruar fjalimin kryeministrit – në mos, larg qoftë, e ka shkruar Rama dora vetë – i cili nuk e di se pjesorja e foljes “jam” nuk shkruhet labçe “qënë”, por “qenë”. (Nuk bëhet fjalë për lapsus sepse në tekst, siç mund ta konstatoni nëse editorët e faqes nuk e kanë ndrequr, gabimi ndodh plot gjashtë herë.)
Nga ana tjetër, kjo derexhe e administratës publike nuk është vetëm produkt i qeverisë së vjetër sepse, siç dihet, asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhëniet e dykahshme patronalo-klienteliste: në njërën anë me sponsorët e mëdhenj biznesorë dhe në tjetrën me detashmentet e aktivistëve partiakë. Nëse marrim rastin e shtimit të koncesioneve – të cilat parashikohet të mbulojnë edhe shërbime bazike administrative – vetë qeveria po pranon tërthorazi se po i përkeqësohen edhe më kapacitetet administrative saqë është gati t’ia japë me qira privatit, sipas praktikës më të keqe paramoderne të shitjes së ofiqeve.
Me të drejtë, gjithashtu, kryeministri konstaton se në Shqipëri ka pasur më shumë universitete për numër banorësh sesa në vende të përparuara si Gjermania dhe Britania. Mirëpo, kur mbyllën disa diplomore private, për të forcuar të tjerat, askush nuk e përmendi këtë si motiv. Ato u mbyllën sepse, sipas qeverisë, nuk përmbushnin kriteret bazike ligjore të ushtrimit të funksionit si universitete. Me këtë kriter mund të mbylleshin të gjitha ose asnjëra, ashtu sikundër në të ardhmen mund të shtohen.
Puna qëndron ca më gjerë se kaq. Vetë pedagogët që punësoi kryeministri në famëkeqin komision të hartimit të reformës në arsimin e lartë kanë pranuar se Shqipëria është ende mbrapa vendeve të tjera për sa i përket numrit të studentëve për banorë. Mirëpo si ideja e kryeministrit, ashtu edhe sugjerimi i nëpunësve të tij pedagogjikë nuk vlejnë në vetvete pasi janë abstraksione bosh që i prodhojnë mendjet që nuk duan të lodhen. Se sa studentë apo universitete duhet të ketë për numër banorësh në Shqipëri varet kryekëput nga strategjitë afatgjata të zhvillimit, baza ekonomike e shoqërisë dhe nevojat kulturore e emancipuese të saj. Përgjigje të tilla kërkojnë vrarje kolektive mendjeje për ca më shumë kohë sesa gugëllimi i pesë fakteve apo hartimi i një fjalimi.
Po ashtu kryeministri i kthehet një teze të kahershme të tij, se rritja e numrit të universitarëve në Shqipëri ka shërbyer si valvul shkarkimi për papunësinë rinore. Ajo që kryeministri nuk thotë është se tentativa e gjithnjë e më shumë të rinjve për të hyrë në universitete është jo vetëm produkt i dëshirës së tyre për t’u formuar intelektualisht, por edhe strategji e shmangies së mallkimit të proletarit: pra e të punuarit në një treg pune që për forcën punëtore të pakualifikuar intelektualisht ofron vetëm punë tjetërsuese, të mundimshme deri në shkatërrim dhe të rrezikshme deri në vdekje. Tregu i famshëm shqiptar nuk kërkon inxhinierë e mekanikë Mercedes-i, por punëtore fasonerie, as hidraulikë e muratorë, por mbledhës kanaçesh e operatorë call center-i.
Ky botëkuptim imagjinar i lejon atij të përqeshë si mentalitet të vjetër faktin se “… puna në privat është skllavëri sepse normal puna në shtet të garanton një pension në moshë të re, dhe pastaj ti mund të rrish gjithë ditën në kafene se rrogën e ke të sigurtë, ndërsa puna në privat është rrogë, nuk është pension që duhet ta fitosh çdo ditë.” Tani, dredhësit e zinxhirit i bie të jenë ata që nuk kanë frikë ligjin, se e kanë mirë me Maliqin dhe Maliq sot është Rama dora vetë. Sa i përket gëzimit të pensionit në moshë të re, nuk di se nga i gjen këto mufka pasi me ndryshimet që i ka bërë qeveria ligjit të pensioneve punëtorët shqiptarë, pavarësisht nëse punojnë në shtet a privat, pas pak dekadave do të dalin në pension në moshën 67-vjeçare. Rini hesapi (!) Kurse rreth rrogës që duhet fituar në privat, zotëria e tij harron se, hiq punonjësit e përkëdhelur të bankave, kompanive celulare apo diplomoreve private, masa dërrmuese e punëtorëve dërrmohet në punë fizike për të nxjerrë një pagë aq mjerane saqë atyre u garanton vetëm bukën, kurse pronarëve të tyre luksin, madje edhe haraçin që i darovisin burokracisë politike me në krye Ramën.
Nga ana tjetër, kryeministri vëren me të drejtë se procesi i rekrutimit të studentëve bazuar në rezultatet e maturës shtetërore ishte kompromentuar fund e krye, me teza që shiteshin para provimit. Mirëpo edhe në këtë rast, shitësit dhe një pjesë e blerësve vinin nga aradhet e atyre që mbushin kutitë e partive dhe që shpërblehen paskëtaj. Kryeministri ynë nuk është vizitor nga Marsi, por kreu i partisë më të suksesshme në këtë allishverish politik – prandaj edhe është në pushtet. Po ashtu, heqja e maturës shtetërore mbylli një vrimë në barkë për të hapur një tjetër. Tanimë i gjithë presioni do të kalojë te mësuesit e gjimnazeve, dhjetat e të cilëve do të rrisin seriozisht mundësitë e arsimimit të kushëririt të filanit, mikut të fistekut apo familjes bujare financiarisht.
E vërteta e fundit e shkontekstualizuar shpërfaqet kur Rama merr rastin e mjerimit të Universitetit Bujqësor. Përtej anekdotave me dele, ai mund të ketë të drejtë kur thotë se një shkencë si bujqësia duhet të përbëjë përparësi kombëtare, ku e ku më shumë se degë si juridiku. Mirëpo, me reformën arsimore të qeverisë së tij në vend që të orientoheshin kapitalet e universiteteve private (ku me hir e ku me pahir) drejt hapjes së degëve të shkencave bujqësore, shteti do të financojë prodhimin e juristëve nga çdo kioskë private që do t’i vërë vetes emrin “universitet publik i pavarur”.
Gënjeshtrat dhe keqinterpretimet
E nisim me një gënjeshtër të përsëritur aq shpesh, saqë me gjasë gënjeshtari ia ka dalë rrugës që ta besojë vërtet. Procesi i reformimit – pretendon kryeministri – i kryer nga ministria dhe universitetet, ka pasur për garantë “…një komision njerëzish të përzgjedhur nga bota universitare, pa dallim bindjesh politike.” Nëse me universitet ka parasysh vetëm diplomoret private – të cilat ai dhe ministrja nuk lënë vend pa i lavdëruar në qoka përvjetorësh, atëherë po. Por nëse në to përfshin edhe universitetet publike, i duhet përsëritur për herë të n-të se universitetet publike, trupa pedagogjike dhe studentore, si edhe të zgjedhurit në poste burokratike, kanë qenë jashtë procesit të reformimit. Madje një pjesë e konsiderueshme e këshillave të fakulteteve dhe senateve akademike të universiteteve publike, sidomos të Universitetit të Tiranës, e kanë kundërshtuar me themeli ligjin e arsimit të lartë.
Vini re foljen e përdorur! Një e çarë nga e cila depërton e vërteta: komision njerëzish “të përzgjedhur” dhe jo “të zgjedhur” nga bota universitare. Zgjedhja do të nënkuptonte përfaqësim të universitarëve, llogaridhënie përpara tyre dhe jo nënshtrim ndaj qeverisë. Përzgjedhja, nga ana tjetër, nënkupton që kryeministri futi dorën në shportën universitare dhe nxori q’andej kë i desh qejfi, pra pedagogë universitetesh që nuk përfaqësonin askënd. Fakti që mes tyre kishte edhe ndonjë ish-kandidat për deputet të PD-së, që sakaq është pronar universiteti privat, e nxjerr edhe më lakuriqe kotësinë e “bindjeve të dallueshme politike”. Kësisoj të përzgjedhurit nga kryeministri i jepnin llogari vetëm atij, punëdhënësit të tyre, çka nuk përjashton që të ardhurit nga universitetet private t’i jepnin xhevap në darkë edhe pronarit ortak me kryeministrin.
Një metaforë, e lodhur edhe pa u përsëritur kaq shumë, është ajo e universiteteve publike që trajtohen si të nënës dhe privateve që keqtrajtohen si të njerkës. Kryeministri shkon më tutje, kur fut në thasët e nënës dhe njerkës edhe studentët dhe prindërit e tyre. Pikësëpari, universitetet, edhe në ligjin e miratuar nga qeveria, vazhdojnë të trajtohen në mënyrë të diferencuar. Ndonëse edhe privatët do të marrin para nga shteti, niveli i financimit do të varet nga statusi i tyre juridik: publikë, publikë të pavarur dhe privatë. Së dyti, shteti ka për detyrë që studentëve të privatit t’u garantojë që institucioni ku ata regjistrohen të mos shesë diploma e falë nota – siç bën edhe sot nga agu në muzg –, por të respektojë kriteret e cilësisë dhe korrektesës akademike. Së treti, shteti garanton barazinë midis qytetarëve dhe jo midis institucioneve të llojeve të ndryshme. Kësisoj të gjithë qytetarët janë të barabartë për të shfrytëzuar mundësinë për të studiuar me tarifë të subvencionuar në universitetet publike. Ndaj edhe hyrja në to, në parim, bëhet me garë dhe jo me mik a para. Kujt nuk i mjafton kjo dhe s’ka nge të përpiqet për përmirësimin e institucioneve publike, ka të drejtë të mos pengohet së regjistruari në institucione private. Por nga kjo nuk rrjedh që shteti duhet ta ndjekë me lugë nga pas prindin apo studentin që zgjedh privatët.
A nuk vlen e njëjta logjikë edhe për ata që nuk pranojnë as universitetet publike dhe as ato private në Shqipëri, por zgjedhin të studiojnë jashtë? A nuk duhet që edhe atyre shteti t’u shkonte nga pas me para? Po jashtë arsimit, a nuk duhej, sipas të njëjtës mënyrë të menduari, që shteti të financonte pagimin e badigardit të dikujt që nuk ka besim te policia e shtetit? Po atë që e çon fëmijën në një kurs privat violine se shteti nuk ka shkolla muzikore të hajrit? Fundja, pse të mos financohen edhe pronarët e televizioneve private përderisa teleshikuesit e kanë më kollaj të kthejnë kanalin te ta sesa te TVSH-ja?
Në këtë kontekst edhe e famshmja konkurrencë, për të cilën kryeministri flet derisa meket, nuk funksionon njëlloj si në rrafshin individual, ashtu edhe në atë institucional. Mund të duket paradoksale, por konkurrenca institucionale zhduk atë individuale dhe anasjelltas.
Marrim rastin e regjistrimit në universitete. Sikur të mos vendoseshin në një skemë zgjedhjesh universitetet publike dhe private, të parat do të vazhdonin të vendosnin kritere cilësore për pranimin e studentëve, si p.sh. nota mesatare apo provimi hyrës. Mirëpo të gjendura në luftën e të gjithëve kundër të gjithëve për copë studentë, universitetet publike do të detyrohen që të ndjekin shembullin e privatëve duke i zhdukur kriteret cilësore dhe i dhënë përparësi regjistrimit sa më të shpejtë, për të mbushur kuotat dhe siguruar mbijetesën. Nga ana tjetër, konkurrimi për studentë ekselentë, i përkthyer në financim shtesë nga shteti, do t’i shtyjë universitetet drejt krijimit të ekselentëve të rremë derisa (mos u çudisni hiç!) notat të nisin nga 9.9. Jo vetëm kaq, por lidhja e financimit me numrin e studentëve që përzgjedhin një universitet do t’i shtyjë universitetet të premtojnë favore të pamerituara për kandidatët. Për të mos thënë se vlerësimi i cilësisë universitare nga studentët, në kushtet ku niveli i financimit të universitetit dhe i tarifës do të varen nga përgjigjet pozitive të tyre, do të transformohet nga një proces me karakter përparimtar si tani, në një rrenë regresive deri në absurd.
Kryeministri nuk ndalet me kaq në rendjen si Maratonomak drejt gënjeshtrave dhe keqinterpretimeve. Gënjeshtrën më të madhe e thotë kur pohon se “…në reformën tonë ne kemi ndaluar mundësinë që arsimi privat të jetë ndërmarrje fitimprurëse…” Si mund të gënjehet kështu publikisht?! Askund, përveçse në imagjinatën e lajthitur të Ramës, nuk thuhet se universitetet private do të ndalohen së qeni fitimprurëse. Ja për shembull neni 17 i ligjit të arsimit të lartë, në pikën 3, shprehet: “Institucionet jopublike të arsimit të lartë janë persona juridikë privatë. Veprimtaria që ato zhvillojnë mund të jetë fitimprurëse ose jofitimprurëse.” Madje edhe centauri “universitet publik i pavarur” është futur në ligj që të funksionojë si patericë financiare e privatëve fitimprurës.
Mendja ta do që shtysën për transformimin e universiteteve private fitimprurëse në fondacione jofitimprurëse (universitete publike të pavarura) do ta kishin pedagogët dhe studentët e atyre institucioneve, të cilët, pas kushedi ç’betejash epike me pronarët, do ta kishin shtyrë shtetin që ta shpronësonte pronarin (social-demokratikisht me dëmshpërblim, s’po themi bolshevikisht me një shkelm të ndenjurave) dhe t’ia jepte kolektivit universitar në administrim institucionin e ri. Sigurisht që diçka e tillë as ka ndodhur dhe as pritet të ndodhë në ato mjedise ku e vetmja mënyrë për të mos iu servilosur deri në pështirosje pronarit është të ulësh kokën e të mbyllësh gojën. Paradoksalisht për këtë ndryshim çirren vetë pronarët, të cilët, si askund në botë, mezi presin të heqin dorë nga fitimi dhe pronësia mbi universitetin vetëm ngaqë u vlon gjaku për shkencë e përparim. Meqë paradokse të tilla nuk kanë vend në realitet dhe në kushtet ku ligji i arsimit të lartë nuk vendos asnjë pengesë serioze për kamuflimin e fitimit në pagë të majme administratori (siç ka filluar ta quajë veten lart e poshtë edhe H. Çili, pronari më i famshëm i këtij takëmi institucionesh), atëherë asgjë nuk na pengon të mendojmë se universitetet publike të pavarura do të jenë thjesht fasada e privatëve fitimprurës.
Jo vetëm kaq, por ligji i arsimit të lartë i financon edhe drejtpërdrejt universitetet private fitimprurëse me fondet e kërkimit shkencor dhe ato të subvencionimit të studentëve ekselentë. Për fiktivitetin potencial të këtyre të fundit folëm më lart. Sakaq, edhe në financimin e kërkimit shkencor qeverisë nuk i ka shkuar ndër mend që fondet t’ua shpërndajë drejtpërdrejt studiuesve ose grupeve studimore, por institucioneve. Pra në universitetet publike këto fonde do të kalojnë njëherë nga duart dhe xhepat e rektorit dhe dekanit, kurse në ato private nga duart edhe më të shkathëta e xhepat më të thellë të pronarit.
Nga ana tjetër, kur flet për autonominë universitare, kryeministri ngatërron institucionet publike, që kanë për qëllim lëvrimin e dijes, me ndërmarrjet tregtare, që kanë për qëllim fitimin dhe mbijetesën ekonomike. Institucionet publike duhet ta kenë të garantuar mbijetesën ekonomike dhe kjo nuk është skemë e kalbur, siç pretendohet, por kusht i autonomisë së tyre përmbajtësore. Përndryshe, universitetet publike, si çdo ndërmarrje tjetër tregtare, do të jenë të kërcënuara nga falimentimi financiar. Për të shmangur këtë të fundit nuk do të kërkojnë të shtrihen – siç sheh ëndrra në diell kryeministri – te konsulenca e firmave private, lere më e bashkive një pjesë e të cilave mezi japin rrogat e punonjësve të ujësjellësit, por do të tjetërsojnë mjediset dhe burimet universitare për të shpërndarë rrogat apo paguar energjinë elektrike: Një festë promocionale birre këtu, një event komercial atje, një predikim fetar në auditorin e madh e të tjera tallje me veten si këto.
Nga ana tjetër, në universitetet publike ekziston një nevojë akute llogaridhënieje nga rektori te shefi i departamentit, të cilët, në mjaft raste, përbëjnë shkallët e një rendi thuajse feudal. Performanca e universitetit nuk duhet të shkaktojë falimentimin e tij financiar, por shkuljen me rrënjë e dhëmballë të kësaj kaste parazitare, që aq hijshëm i mbush sallat dhe duartroket kryeministrin tonë “vizionar”. Po për të sjellë një ndryshim të tillë nevojitet fuqizimi i të vetmes trupë universitare, madhësia e të cilës e vështirëson tej mase komprometimin: studentëve. Po kryeministri dhe ekselentët që e këshillojnë patën idenë gjeniale se jeta universitare do të demokratizohej dhe autonomizohej nëse pesha e votës studentore do të binte në 10% qesharak.
Sidoqoftë mufkat më të mëdha e gënjeshtrat më të pacipa kryeministri i tha rreth katastrofës aktuale me regjistrimin e studentëve në universitete. Pikësëpari krijoi një armik imagjinar, edhe më të keq se vetja, përpara të cilit do të ngjante mirë: ata që janë ankuar se pse qeveria ka vendosur mesataren dysheme 6 për të aplikuar në universitet. Vetëm imagjinarisht mund të ekzistojë një subjekt politik a shoqëror më i keq se qeveria aktuale, ndaj kryeministrit i duhet të shpikë armiq të cilët vendosjen e kësaj mesatareje e konsiderojnë “…blasfemi për shkak se të tjerë me 5.1, 5.2 apo 4.9 nuk lejohen të hyjnë në universitet.” Se bash askush askund nuk e ka ngritur një pretendim të tillë, madje as birbot e PD-së.
Nga ana tjetër, pretendimin se nuk po favorizohen privatët nuk e mbështet as në të dhëna të besueshme dhe as në argumentim logjik. Nga të dhënat që kemi, e vetmja gjë që dihet me siguri është që deri në pasditen e datës 20 tetor në portalin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Rrjetit Akademik Shqiptar kuotat e lira në universitetet private rezultonin më të larta se kuotat në total. Pavarësisht se mbrëmë drejtuesi i RASH-it u detyrua të sqarojë se gabimi ka qenë teknik, askush nuk mund ta besojë se si gabimi teknik nuk shpërndahet njëlloj edhe në universitetet publike, por mbetet monopol i privatëve. Shpjegimet e vetme të mundshme janë ato të lejimit që universitetet private të regjistrojnë më shumë studentë nga ç’kanë kuota të miratuara ose, në rast se nuk do t’i kapërcejnë kuotat, të jenë të avantazhuara ndaj universiteteve publike për shkak se, ndryshe nga publiket te të cilat ata që janë poshtë vizës së kuqe të fituesve duhet të presin se çfarë do të zgjedhin këta të fundit, te privatet nuk ka vizë të kuqe, as renditje, madje as eliminim të mundësisë për t’u regjistruar kur kalon afati i fazës përkatëse: në to mund të presësh e të regjistrohesh kur të duash, madje pse jo edhe pa aplikuar fare paraprakisht.
Në këto kushte është ironike deri në fyerje gënjeshtra e tij se “…sistemi aktual i garantimit të meritës në rrugë kompjuterike tregon që funksionon më së miri.” Meritë midis institucioneve aty ku privatët rezultojnë të kenë më shumë kuota të lira sesa kuota të miratuara në total?! Meritë midis studentëve ku sot po futen në degë të preferuara maturantë me mesatare të ulët sepse ata me mesatare më të lartë, nga frika se mos mbesnin pa shkollë, janë regjistruar në të parën a të dytën degë që kanë kapur?! Meritë që një maturant me mesatare nëntë pikë ca, që vjen nga një familje e varfër, detyrohet të regjistrohet në privat duke u mbytur në borxhe, kurse ai me mesatare shtatë, duke mos pasur ç’të humbasë, ka pritur derisa janë liruar vendet në universitetet publike?!
Lere më pastaj kur në tentativë për të bërë dinakun, kryeministri heq paralele midis stresit të këtyre muajve të maturantëve me stresin e çdo nxënësi dhe studenti përpara se të marrë rezultatet e provimit: “Thonë se ‘janë të stresuar maturantët’. Më thoni cili nga ju nuk ka qënë i stresuar kur shkonit për të marrë provimet për të hyrë në universitet?” Streset në fjalë u përkasin dy botëve të ndryshme. Stresi për të cilin flet kryeministri buron nga pritja e rezultateve që varen nga performanca akademike e studentit krahasuar me performancën e të tjerëve. Kurse stresi i maturantëve këtë vit varej nga strategjitë zgjedhëse të mijëra të tjerëve si ata, shumë kohë pasi kishte mbaruar provimi (notat e gjimnazeve). Maturantët që hynin në provim para 16 vjetësh, si unë në Fakultetin e Shkencave Sociale, stresoheshin disa ditë derisa dilnin rezultatet dhe klasifikimi, por nuk torturoheshin deri në luajtje mendsh nga dilema të burgosurish jo me dy palë, por me mijëra palë: Nëse pret degën që preferon mund të mbetesh fare pa shkollë, ama nëse nuk e pret një tjetër me rezultate më të dobëta se ti do të ta marrë vendin. Kur kujton pastaj se si nga paniku dhe makthi i maturantëve kanë fituar ato institucione hyrja në të cilat është më e lehtë (diplomoret private), keqardhja kthehet në mllef dhe mllefi në revoltë.
***
Takimi i pardjeshëm e arriti kulmin e butaforisë në çastin kur kryeministri, në rolin e një patroni zemërmirë, premtoi rritje rrogash si asnjëherë tjetër: “Rektori, zoti Koni, ka bërë dhe një premtim në fushatë: ‘Do t’ju rris rrogat!’ Të them të drejtën nuk e di si e kishte menduar rritjen e rrogave, por unë jam këtu për t’ju thënë që premtimi i tij do realizohet.” Si ka mundësi që kryeministri premton rritje substanciale rrogash për pedagogët kur për gjithë këto vite s’ka lënë rast pa përmendur, me të drejtë e pa të drejtë, derexhenë e trupës pedagogjike të universiteteve publike? Si mund t’u rrisësh rrogat atyre që pretendon se sistemi i vjetër i financimit i ka shndërruar në parazitarë ose në të pamotivuar për të punuar siç duhet, ndërkohë që sistemi i ri financiar nuk ka hyrë akoma në fuqi? Si mund t’u rrisësh rrogat pedagogëve kur, sipas sistemit të ri të financimit të universiteteve, edhe për të marrë kaq rrogë sa tani pedagogëve dhe universiteteve publike do t’u duhet të konkurrojnë me privatët duke ndjekur standardet më të ulëta të këtyre të fundit: falje notash, shitje diplomash dhe bërje reklame? Si mund t’u rrisësh rrogat pedagogëve kur me sistemin e ri të financimit universitetet publike do të braktisen gjithnjë e më shumë nga mbështetja financiare e shtetit për t’i gjetur ku të mundin e si të mundin fondet e mbijetesës?
I vetmi shpjegim është ai që vjen nga metafora e deleve të cilave kasapi ua përkëdhel kokën përpara se t’i therë. Pak muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, pas të cilave pritet të jetësohet edhe skema e financimit të privatëve, kryeministri kërkon të përkëdhelë kokat e trupës pedagogjike të cilën, jo edhe aq pa të drejtë, e konsideron si dele që vrapon pas tringëllimës së monedhave. Kësisoj, edhe ai pak potencial rezistence dhe prodhimi universiteti alternativ që gjendet sot brenda universiteteve publike do të shkojë drejt shuarjes duke lënë në frontin e rezistencës vetëm të fundmit e Mohikanëve, atë grusht njerëzish paepuria e të cilëve nuk do të jetë më burim frymëzimi, por anekdotash me personazhe ekzotike.
Në thuajse tre vjet rezistencë të organizuar në Lëvizjen Për Universitetin nuk e kemi përmendur asnjëherë rritjen e rrogave të pedagogëve, edhe pse e dinim se po të preknim nerva të tillë lëvizja do të kishte shumë më tepër sukses. Mirëpo skrupujt moralë dhe njohja e papërgjegjshmërisë apo paaftësisë së një pjese jo edhe aq të vogël të trupës pedagogjike na kanë larguar prej këtij terreni. Po ashtu, mbrojtja me fanatizëm e interesit publik na ka shtyrë të mos i marrim në konsideratë interesat partikulare, pavarësisht se mund të ishin të justifikueshme. Prandaj kur ka ardhur puna te paratë, të vetmen gjë që kemi kërkuar ka qenë ulja e vitpasvitshme e tarifave studentore dhe zhdukja e tyre në krye të disa viteve. Pikërisht ngaqë përpara se të jetë për pedagogët, dekanët apo rektorët, universiteti jeton për studentët dhe nga studentët.
Kështu që nëse u jepen universiteteve 5 milionë dollarë shtesë nga paratë e popullit, ato nuk duhet të shkojnë për rroga pedagogësh, por për ulje të tarifave studentore. Janë studentët ata që përbëjnë objektin që e pëson më shumë dhe subjektin nga i cili mund të lindë ndryshimi i madh, ai ndryshim që do ta bëjë kryeministrin e radhës t’i dridhen leqet kur të vijë në universitet.

Friday, October 21, 2016

Viti i ri akademik 2016-17 vjen me pakenaqesi tek studentet

Ivana Dervishi, Tetor 20, 2016. Reporter.al 
http://www.reporter.al/levizja-per-universitetin-viti-i-ri-akademik-nisi-me-kaos-dhe-mungese-transparence/

Lëvizja Për Universitetin: Viti i ri akademik nisi me kaos dhe mungesë transparence

Lëvizja studentore “Për Universitetin” e shënoi ditën e parë të vitit të ri akademik duke denoncuar si të dështuar skemën e regjistrimeve që vazhdon ende, ndërsa Ministria e Arsimit këmbënguli se procesi është bazuar te merita.

Studentët protestojnë gjatë ditë së parë të shkollës | Foto nga : Ivana Dervishi
Studentët protestojnë gjatë ditë së parë të shkollës | Foto nga : Ivana Dervishi
Fillimi i vitit të ri akademik të enjten (20 tetor) pa mijëra studentë që iu kthyen auditorëve të universiteteve në Shqipëri, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur ende pezull në pritje të përfundimit të skemës së shumëkundërshtuar të pranimeve.
Në një tubim para Korpusit të Universitetit të Tiranës, lëvizja studentore “Për Universitetin” shpalosi banerin “Studim, Revoltë #rezistencavazhdon”.
Lëvizja e quajti këtë “vitin akademik më të çuditshëm dhe më problematik në historinë e Shqipërisë” dhe deklaroi se rezistenca kundër reformës aktuale të arsimit të lartë do të vazhdojë.
“Mijëra studentë janë akoma duke pritur të regjistrohen në universitetet publike. Mijëra kuota të këtyre të fundit janë akoma bosh… Kaosi u ngjiz me udhëzimin nr. 13 të MAS në korrik 2016,” deklaroi Lëvizja për Universitetin.
“Nga njëra anë u futën universitetet private në listën e preferencave të maturantëve dhe nga ana tjetër u ndërtua një skemë e koklavitur aplikimi dhe regjistrimi, efekti imediat i të cilës ishte paniku i maturantëve se do të mbesnin pa shkollë,” shtuan aktivistët.
Lëvizja Për Universitetin e akuzoi qeverinë se ka krijuar panik te maturantët për t’i shtyrë ata drejt universiteteve private ndërsa dënuan mungesën e transprancës nga institucionet publike dhe private të arsimit të lartë për të regjistruarit dhe kuotat e mbetura bosh.
Klaudina Kuçi, 18 vjeçe ndihet e lehtësuar që peripercitë e regjistrimit në universitet morën fund për të në post-raundin e parë të regjistrimeve.
“Skema e pranimit në çastin e parë na bëri të humbim shpresat [se do të pranoheshim në universitet] dhe na krijoi ndjesinë se ishim të pavlerë, ndërsa lodhja e 12 viteve u duk se humbi për një ditë”, tha ajo për BIRN.
“U regjistrova të hënën në universitet dhe sot u ndesha me radhë në sekretari, paqartësi për oraret dhe sallat, si dhe shumë pasiguri për mënyrën se si do të rregullohen punët në vijim”, shtoi Kuçi për BIRN.
Ministria e Arsimit e shtyu afatin e aplikimeve dhe regjistrimeve për fazat e tjera të pranimeve deri më 27 tetor, kohë kur mendohet se do të plotësohen kuotat e mbetura bosh – veprim të cilin Lëvizja Për Universitetin e konsideroi si pranim të dështimit të skemës.
“Sistemi sa vjen e po degradon. Tarifat rriten vit për vit dhe po bëhen të papërballueshme për studentët, duke detyruar disa të ndërpresin studimet që të punojnë,” tha për BIRN Jonis Metaj, aktivist i Lëvizjes dhe student i masterit në fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit.
“Studenti shihet si klient pa të drejtë vendimmarrjeje, ndërsa diploma e ka humbur vlerën. Ne kërkojmë një sistem që i mundëson studentit të përqendrohet të mësimet në vend të shqetësimit se ku do t’i gjejë paratë për t’u arsimuar”, përfundoi ai.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla mbrojti skemën e ndryshuar të regjistrimeve si “më pranë meritës se vitet e mëparshme”, por pranoi se procesi nuk është perfekt.
“Skema e re e pranimeve në universitet është e duhura. Ju garantoj që në përmbylljen e procesit do të kemi të gjithë raportimet mbi treguesit e përmirësuar dhe dëshmitë që pas ndjekjes me rigorozitet të hapave, gjithçka do të jetë në rregull dhe ata me rezultate më të larta do të regjistrohen në universitet”, deklaroi Nikolla.
Sipas ministres deri tani janë regjistruar 19,165 studentë – 15,022 prej të cilëve në institucione publike.
Lëvizja Për Universitetin e quajti këtë proces si kalvar torturues për studentët dhe u bëri thirrje atyre të bashkohen me përpjekjen saj për ndërtimin e një universiteti publik të ri.
“…Një universiteti ku dyert do të jenë të hapura sipas meritës, arsimimi nuk do të kushtojë para por vetëm përpjekje studentore, studentët dhe pedagogët do të jenë rithemeluesit e universitetit dhe dija do të ketë karakter kritik e universal… duke i shërbyer zhvillimit dhe emancipimit të të gjithë shoqërisë”, deklaroi Lëvizja.
MAS e ndryshoi procesin e pranimeve në universitet në çastin e fundit, duke ndryshuar kështu peshën e lëndëve në fakultetet përkatëse dhe duke krijuar sistemin me faza që favorizoi vetëm maturantët ekselentë.
Ndryshimet u pritën me protesta nga qindra maturantë të shqetësuar që kërkuan rikthimin e sistemit të vjetër ku një maturant shpallej fitues në vetëm një degë.
http://www.reporter.al/levizja-per-universitetin-viti-i-ri-akademik-nisi-me-kaos-dhe-mungese-transparence/ 

Friday, April 15, 2016

Studentet protestojne kunder udhezimit te MAS per certifikimin e gjuheve te huaja



Studentet kane protestuar ne mjediset e Fakultetit te Shkencave Sociale kunder udhezimit nr. 52/2016 ne lidhje me certifikimin e gjuheve te huaja.

Duke qene se ata duhet ti deshmojne njohurite e gjuhes ne teste nderkombetare, ata kritikojne kete vendim te qeverise si klienteliste, pasi favorizon disa ofrues te caktuar.


Udhezimi nr. 52/2016 i MAS
 

Friday, March 4, 2016

Prof. Dr. Artan Fuga mbi procesin e zgjedhjeve ne UT

Prof. Dr. Artan Fuga, shef departamenti ne Universitetin e Tiranes, ka kritikuar rregulloren e Ministrise se Arsimit per periudhen e zgjedhjes se rektoreve. Kritika e tij nuk eshte e qarte, pasi nuk tregon se per cfare flitet konkretisht. Ka disa pretendime mbi provokime dhe nderhyrje te MAS ne procesin e zgjedhjeve, por shkrimi nuk permban ndonje argument. 

Sidoqofte me poshte artikulli i Prof. Dr. Fuges.. 
 http://www.hashtagalbania.com/index.php/2016/03/03/ministria-e-arsimit-po-vendos-diktature-ne-universitete/

Ministria e Arsimit po vendos diktaturë në universitete

Nga Artan Fuga (Facebook, 03 Mars 2016)
Jo, universitarët nuk e gëlltisin këtë rregullore që na provokon me rastin e zgjedhjeve të drejtuesve të universiteteve publike. Ne duam zgjedhje të lira dhe të ndershme të drejtuesve të rinj ! Punët kanë shkuar shumë larg. Na kërkohet të pranojmë dhe të bëhemi palë në shkeljen e ligjit dhe të Kushtetutës.
Po provokohemi duke na kërkuar të pajtohemi që për një periudhë të papërcaktuar kalendarike të pranojmë vendosjen e juntave me persona të komanduar nga politika në të gjithë hierarkinë universitare. Ata mund të bëjmë pastaj çfarë të duan me universitetet, me pedagogët dhe studentët.
Na duhet të mbrojmë ligjin gjysëm-demokratik në fuqi nga sulmet dhe atentatet që i bëhen nga vetë autorët e tij. Vetëm në diktaturën moniste ka ndodhur që shteti të shkeli me takat e këpucëve ligjet që ka nxjerrë vetë. Kjo nuk është sjellje demokratike, as diktatoriale, kjo është sjellje tiranike sepse nuk njeh asnjë normë a ligj, të mirë a të keq, me të cilën pushtetari duhet t’i lidhi duart vetes së vet.
Ligja trajtohet si një shuk letre i qullur që i hidhet universitarëve në fytyrë.
“Dashkeni edhe të zbatohet ligji ju intelektualë! Në satër!”
Kemi arritur larg. Një ministër guxon që me anë të një projekt-rregulloreje të shkelë me të dy këmbët ligjin dhe Kushtetutën. A ka më llogaridhënie në këtë shtet apo jo ? A ka më përgjegjshmëri qytetare apo jo?
Vetëm një injorant mund t’a hajë gënjeshtrën se diktatura dhe tirania, komandat ushtarake, janë mënyra më e mirë për të bërë zgjedhje demokratike në universitete apo në shkallë vendit. Me diktaturë nuk ndërtohet dot as demokraci, dhe as progres.
Kush ka frikë nga zgjedhjet e lira në universitete dhe kërkon t’i manipulojë ato me çdo kusht? Larg kësaj kulture që do të na kushtojë shumë shtrenjtë po kaloi në universitete!
Na kërkohet që drejtësia, pra ankimimi, të bëhen me gjykata ad hoc, antikushtetuese, si në kohë lufte, me juristë të zgjedhur a të komanduar nga Ministria, a thua nuk e përcakton kushtetuta e Shqipërisë se cili sistem ka të drejtë të bëjë drejtësi në vendin tonë!  Jo, universitetet nuk mund të drejtohen me komanda ushtarake, me junta të komanduara pa asnjë legjitimitet ligjor dhe moral, nuk mund t’u jepen komisarëve politikë pushtete të pakufizuara as për periudha të caktuara!
“Diktatura e përkohshme” në Shqipëri është një koncept i dalë boje. Që nga Roma e Lashtë dhe më parë në Greqinë Antike, diktatorët e përkohshëm ishin tiranë.
Universitarët po provokohen rëndë duke i ndëshkuar të pranojnë të drejtohen me të komanduar si në kazermat ushtarake me komandantë, që për turp, mund të caktohen pa asnjë kriter, mund të kenë qenë edhe të dënuar, trafikantë, pa asnjë gradë shkencore, me formim nga kurse dhe shkolla me provime të marra pa ardhur në provim, me diploma fallco, madje edhe ndoshta analfabetë. Asnjë pengesë për të gjithë këta!
Ne duam të zbatohet ligja dhe të zgjedhim lirisht e të rinovojmë drejtuesit tanë!
Jo, juntave ushtarake në universitete! 
Jo, puçit institucional në universitete!
Jo, “diktaturës të përkohshme” pa afat!
Jo manipulimit të zgjedhjeve të lira në Universitete me infrastruktura të komanduara dhe nën presionin e juntave ushtarake !
Jo teksteve zyrtare me gabime daktilografike, pa kulturë juridike, me gabime gjuhësore dhe logjike!
http://www.hashtagalbania.com/index.php/2016/03/03/ministria-e-arsimit-po-vendos-diktature-ne-universitete/